Home / Lajme / A ka Maqedonia, një Albin Kurti?

A ka Maqedonia, një Albin Kurti?

“Lëvizja Vetëvendosje dhe kryetari i saj Albin Kurti janë fitues të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë. Sakrifica e tij e vazhdueshme që para luftës, gjatë protestave studentore por edhe ajo politike nga viti 2009 kur Lëvizja e tij u shndërrua si parti politike, ka bërë që Albin Kurti të shihet si shpresa e vetme e popullit të Kosovës.” – Ky është editoriali i botuar sot nga agjencia e lajmeve Zhurnal në Maqedoni.

“Me rreth 200 mijë vota, Albini bëhet fitues i këtyre zgjedhjeve duke i lënë pas partinë e ish-liderit historik, LDK-në e Ibrahim Rrugovës si dhe të gjitha partitë e dala pas lufte. Por për të formuar qeverinë, Kurti do të duhet të bëjë koalicion me së paku edhe dy parti politike, ndërkaq në fjalën e tij gjatë fi tores së zgjedhjeve ai u bëri ftesë LDK-së që bashkë ta formojnë qeverinë me Albinin si kryeministër.

Qeveria Kurti!

Liderin e Lëvizjes Vetëvendosje gjatë fushatës zgjedhore e presin punë shumë të vështira, pasi do të ulet e të bisedojë me Serbinë për çështjen e statusit të Kosovës, të heqë taksën e të bëjë detyra të ndryshme nga rrafshi ndërkombëtar. Por, Kurti ka deklaruar se ai vetë do ta kryesojë dialogun me Serbinë, para së gjithash duke i shqyrtuar të gjitha marrëveshjet e arritura ndërmjet dy shteteve.

Sa i përket vendosjes së taksave prej 100% për mallrat e Serbisë, Albin Kurti ka deklaruar se do të vendosë reciprocitet me Serbinë, e cila nënkupton që Serbia nuk do të mund të fusë mallra në Kosovë sepse ju e dini që çertikatën e prodhimit të mallit në Kosovë me “Republika e Kosovës” ata nuk e pranojnë, pra efektivisht malli i Serbisë nuk do të mund të hyjë, bile tash mund të hyjë nëse janë të gatshëm të paguajnë tarifën.

Ai beson se reciprocitetin edhe faktorët ndërkombëtarë përfshirë këtu Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kuptojnë shumë më mirë se sa edhe tarifën 100 për qind.

Reflektimi i Vetëvendosjes në Maqedoni!

Skena politike në Kosovë e Shqipëri gjithmonë ka pasur efektin e saj edhe në Maqedoni. Bashkëpunimi ndërmjet partive politike shqiptare mes këtyre tre shteteve ka qenë i hapur.

Nëse me Shqipërinë gjithmonë ka pasur më së shumti një bashkëpunim me organet zyrtare, ose me partinë që ka qenë në pushtet, me partitë në Kosovë ka pasur një lidhje më të ngushtë, ndoshta nga vetë fakti se shumë shqiptar nga Maqedonia kanë qenë të kyçur direkt në proceset politike dhe çlirimin e Kosovës por edhe anasjelltas.

Krerët e partive politike në Maqedoni që kanë qenë në pushtet, kryesisht kanë pasur bashkëpunime me krahun e luftës në Kosovë, PDK-në dhe AAK-në. Nga ana tjetër Albin Kurti ka preferuar që viteve të fundit të takohet me liderët e partive politike që kanë qenë në opozitë te shqiptarët në Maqedoni.

Ai shpeshherë ka kërkuar më shumë të drejta dhe barazi për shqiptarët e Maqedonisë duke përkrahur partitë opozitare në Maqedoni për të arritur pushtetin.

Shpeshherë ka udhëtuar dhe ka marrë pjesë në tubime elektorale, duke folur hapur se është koha për ndryshime. Lëvizje Vetëvendosje edhe në Maqedoni! Lëvizja Vetëvendosje është parë si fenomen te shqiptarët, të cilët të frymëzuar nga lideri i saj Albin Kurti kanë kërkuar që të themelojnë degë të partisë edhe në Maqedoni e Shqipëri.

Kjo Lëvizje ka simpatizantë dhe anëtarë të saj edhe në këto dy shtete, por pa regjistruar ende ndonjë parti, e cila do të futet në skenën politike në vendet përkatëse.

Është fakt se në Maqedoni, partitë në opozitë kanë dashur të kopjojnë dhe frymëzohen nga opozitarizmi i Vetëvendosjes në Kosovë, por nuk kanë arritur të jenë të suksesshëm aq sa duhet në këtë drejtim. Andaj, fitorja e Vetëvendosjes në Kosovë, pritet t’iu japë krahë më të fuqishëm të gjithë mbështetësve të saj në Maqedoni e Shqipëri. Shpresa do të jetë më e madhe për opozitarizmin te shqiptarët e Maqedonisë, por se a ka këtu një Albin Kurti, pritet ta zbulojë koha!”/Zhurnal

Burimi: A ka Maqedonia, një Albin Kurti?
Nëse shtypni reklamat në lajmet që lexoni këtu, ju mundësoni të funksionojmë si portal i pavarur. Ju falemnderit nga © AlbPortali

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com