Home / Lajme / Reagon qeveria: Taksa ndaj Serbisë, e drejtë e jona

Reagon qeveria: Taksa ndaj Serbisë, e drejtë e jona

Qeveria në largim e Kosovës nuk u bindet ambasadave të shteteve të fuqishme, që kërkuan vazhdimin e dialogut me Serbinë dhe heqjen e taksave, duke thënë se s’duhet të vendosen pengesa shtesë.

Loading...

Në kohën kur partitë politike në Kosovë po flasin vetëm për mbajtje të zgjedhjeve, misionet diplomatike kërkojnë që fokusi të kthehet te Serbia dhe bisedimet me të.

Zyra e Kryeministrit i është përgjigjur deklaratës së përbashkët të shteteve të QUINT-it (Francës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Italisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës), të cilat kërkojnë vazhdimin e menjëhershëm të dialogut dhe heqjen e taksës ndaj produkteve serbe.

Sipas zyrës së kryeministrit në dorëheqje, Ramush Haradinaj, taksa është vendim i drejtë dhe dialogun nuk e ka ndërprerë pala kosovare.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, konkretisht kryeministri Haradinaj gjithmonë ka punuar dhe ka qenë i qartë, në të drejtën e Kosovës për ta mbrojtur integritetin dhe sovranitetin e vendit. Kësisoj, vendimi për vendosjen e taksës ndaj produkteve të Serbisë dhe BH-së ka qenë veprim i nevojshëm në shërbim të mbrojtjes së interesave të Kosovës, nga veprimet armiqësore dhe kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë kundër shtetit dhe institucioneve të Kosovës. Në vazhdimësi e kemi thënë tregu për njohje dhe këtë qëndrim vazhdojmë ta kemi. Në të njëjtën kohë, gjithmonë kemi marrë në konsideratë sugjerimet e partnerëve tanë ndërkombëtarë sa u përket temave politike në vend”, ka thënë Zyra e Kryeministrit për Gazetën Express.

“Sa i përket dialogut, Kosova asnjëherë nuk e ka penguar atë, madje jemi shprehur të gatshëm të ulemi në tavolinë, për një marrëveshje finale, ligjërisht të obligueshme, në kufijtë ekzistues dhe që çon në njohje reciproke. Ky proces nuk duhet të jetë i kushtëzuar”, thuhet më tutje në reagim.

Në komunikatën e lëshuar sot, QUINT-i theksoi se status-quo pengon përparimin e Kosovës dhe Serbisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe nuk është e qëndrueshme.

“Pas viteve të tëra të ngecjes ka ardhur koha që më në fund të përmbyllen konfliktet e viteve të 90-ta dhe të ofrohet një e ardhme e sigurt dhe e begatshme për qytetarët e Kosovës dhe të Serbisë, duke negociuar në mirëbesim një marrëveshje që mund ta mbështesin të dy palët. Prandaj, i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që menjëherë të rifillojnë dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe kërkojmë nga të dy palët të shmangin veprime që do të pengonin një marrëveshje përfundimtare, e cila është e nevojshme për të dy vendet për të arritur integrim më të madh euro-atlantik dhe përfitimet përcjellëse”, thuhet në komunikatë.

Pesë shtetet e fuqishme deklaruan se janë të gatshme të forcojnë rolin e tyre në këtë proces në përkrahje të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, por thonë se mund ta bëjnë një gjë të tillë vetëm kur Kosova të japë shenja të gatishmërisë për kompromis, për heqjen e pengesave dhe rifillimin e bisedimeve.

“Për Kosovën, kjo nënkupton heqjen e taksave të vendosura ndaj Serbisë. Për Serbinë, kjo nënkupton ndërprerjen e fushatës për heqjen e njohjeve kundër Kosovës”, shkroi në njoftimin e përbashkët të ambasadave.

Burimi: Reagon qeveria: Taksa ndaj Serbisë, e drejtë e jona
Nëse shtypni reklamat në lajmet që lexoni këtu, ju mundësoni të funksionojmë si portal i pavarur. Ju falemnderit nga © AlbPortali

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com